Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar për mizoritë e fundit që janë bërë nga Rusia në Ukrainë, përcjell InLajmi.
Meta ka thënë se është i shokuar nga ngjarjet që kanë ndodhur.
Gjithashtu presidenti i Shqipërisë theksoi se bashkësia ndërkombëtare duhet të shumëfishojë përpjekjet për të ndaluar makinerinë vrasëse të Kremlinit.
Ai është shprehur se krimet e tilla nga Rusia duhet të hetohen si të tilla dhe se Shqipëria si anëtare e NATO-s do të japë kontribut në këtë drejtim.
Postimi i plotë i tij:
I shokuar nga mizoritë e ushtrisë ruse në Bucha dhe rajone të tjera të Ukrainës. Civilët e masakruar, varret masive dhe përdhunimet janë evidenca të pakundërshtueshme të genocidit që Rusia po zbaton në Ukrainë. Bashkësia ndërkombëtare duhet të shumëfishojë përpjekjet për të ndaluar makinerinë vrasëse të Kremlinit.
Krimet kundër njerëzimit të kryera nga Rusia dhe që po tmerrojnë mbarë njerëzimin duhet të hetohen si të tilla. Si vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria do të japë kontributin e saj në këtë drejtim. 🇦🇱🤝🇺🇦 /InLajmi/