Këtë të mërkurë Fondi i Kursimeve Pensionale ka raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere lidhur me zhvillimet e fundit në tregjet financiare, raporton InLajmi.
Për tërheqjen e një përqindjeje të trustit, pati propozuar së pari Partia Demokratike e Kosovës, derisa nga Trusti kanë thënë se janë të gatshëm të përmbushin çfarëdo vendimi që ua sjell atyre Kuvendi i Kosovës, por kanë vlerësuar se ky duhet të jetë vetëm hapi i fundit që duhet të shqyrtohet si mekanizëm për situata emergjente.
Ruzhdi Morina, kryesues i Bordit Drejtues të Fondit Pensional, ka thënë se kriza e fundit ka ndikuar në performancën e investimeve, por pas humbjeve në 2 muajt e parë të vitit, në mars ka nisur këndellja dhe se “trendi pozitiv është duke vazhduar”
Ai ka thënë se në muajin shkurt investimet ndërkombëtare pësuan rënie prej rreth 90 milionë euro në investimet e Trustit, kthimi i investimeve ka ulur humbjet në rreth 50 milionë euro.
Në anën tjetër drejtori i Trustit, Adrian Zalli, tha se nëse shikohen performanca e tregjeve, ky institucion ka pasur një performancë të mirë.
“Nëse shikojmë performancën e tregjeve, ne kemi pasur performancë të mirë pritjet për 3 muaj janë vështirë të cilësohen por jemi të pozicionuar mirë për t’i dalë ballë problemeve. Rikuperimi ka marrë 2 vjet dhe e njëjta ka qenë edhe në tregjet financiare. Gjysma e rikuperimit vetëm ka ndodhur mirëpo si do të zhvillohen tash e tutje pritet të shikohen. Mbi 2.2 miliardë totali i parave aktuale në trust”, tha ai.
Tutje tha ai me qëllim të mbrohen pensionistët bordi ka themeluar edhe protofolio investimesh.
“Me vendimin investuese dhe krijimin e portofolis kemi arritur t’i mbrojmë kontribuuesit nga këto rënie. Sa i përket tronditjeve një pjesë e madhe e tyre është rikuperuar dhe jemi fokusuar në investime. Në muajt në vijim kjo do të shpërblehet. Do të jetë vit tejet sfidues për ne. Tronditjet e shkurtit janë rikuperuar. Aktualisht kemi 25% kthim në secilën llogari”, tha ai.