Ish-ministri shtetëror gjerman për Evropë, Michael Roth, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që ta mbajë premtimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në një shkrim në Twitter, pas takimit me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, deputeti gjerman ka thënë se Ballkani Perëndimor i takon Bashkimit Evropian.
“Shtetet e Ballkanit Perëndimor na takojnë dhe meritojnë më shumë se veç fjalë goje. BE-ja duhet t’i mbajë premtimet: Duke nisur nga bisedimet për pranim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë ai.
Roth kishte shërbyer në postin e ministrit shtetëror për Evropën në periudhën 2014-2021, nën Angela Merkelin, shkruan EO.
Lajçaku së fundmi ka publikuar disa fotografi nga takimet me zyrtarë gjermanë në Berlin. Ai ka thënë se Gjermania i ka dhënë mbështetje punës së tij dhe se ka pasur diskutime se si duhet të avancohet integrimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor. “Jemi pajtuar që kjo është më e rëndësishme se kurdo më herët në kontekstin e sotëm gjeopolitik”, ka thënë ai.