Në Kuvendin e Kosovës të hënën nuk u miratua Komisioni hetimorë për energjinë elektrike, derisa deputetët e partive opozitare thanë se do të mbledhin nënshkrimet e nevojshme që të formohet ky komision shumë i nevojshëm, shkruan InLajmi.
Se ky komision duhet gjithsesi të miratohet, e tha për Gazetën InLajmi, edhe Jakup Bellaqa, njohës i çështjes së ekonomisë.
“Probleme energjetike ka pasur prej pas përfundimit të luftës, pra më shumë se 2 dekada andaj, një komision do të duhej të miratohej për ta verifikuar situatën energjetike. Por e rëndësishme do të ishte që të gjenden modalitete për ndërtimin e një termocentrali të ri, sepse në të kaluarën ekonomia kosovare ka humbur me qindra milionë euro, në vit”, tha ai.
Njohësi i çështjes së ekonomisë ritheksoi se është shumë e domosdoshme që të ndërtohet një termocentral.
“Është e domosdoshme të ndërtohet një termocentral sepse ne flemë mbi thëngjill, kemi deficit energjetikë. Pozitë dhe opozitë do të duhej të jenë të ekuilibruara dhe të kenë vizion afatmesëm dhe afatgjatë sa i përket energjetikës, sepse nuk ka ekonomi të qëndrueshme dhe zhvillimore pa e zgjidhur këtë çështje. Konstatoj se ekonomia dhe energjetika janë të ndërvarura njëra me tjetrën”, tha Bellaqa për Gazetën InLajmi.
E sipas tij kur fuqia energjetike dhe fuqia ekonomike të bashkohen rrjedhimisht krijohet një ekonomi produktive dhe funksionale.
“Me këtë do të rritej prodhimi vendor dhe shërbimet vendore, ku do të hapeshin vende të reja të punës”, tha ai./InLajmi/