Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit Konsultativ të Katarit, Hassan bin Abdulla Al-Ghanim, me të cilin bisedoi rreth thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Katarit, përcjell InLajmi.
Gjatë takimit u bisedua për ndikimin e agresionit rus kundër Ukrainës në kontinentin evropian dhe rajonin tonë.
Osmani falënderoi shtetin e Katarit për ndihmën si dhe bëri thirrje për rritje të bashkëpunimit ndërparlamentar si një mjet i fuqishëm bashkëpunimi mes 2 shteteve.
Njoftimi i plotë nga Zyra për Komunikim Publik:
Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu ka takuar Kryetarin e Kuvendit Konsultativ të Shtetit të Katarit, Hassan bin Abdulla Al-Ghanim me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në mes të 2 vendeve tona.
Presidentja falënderoi Kryetarin Al-Ghanim për mbështetjen e vazhdueshme të Shtetit të Katarit, duke ritheksuar gatishmërinë të forcojmë bashkëpunimin ndërshtetëror në fusha të ndryshme duke përfshirë ekonominë, energjetikën dhe bujqësinë.
2 bashkëbiseduesit këmbyen mendimet për ndikimin e agresionit rus kundër Ukrainës në kontinentin evropian dhe rajonin tonë, sigurinë energjetike dhe atë të ushqimit.
Presidentja Osmani bëri thirrje për rritje të bashkëpunimit ndërparlamentar si një mjet i fuqishëm bashkëpunimi mes dy shteteve. Si dy vende mike, Kosova dhe Katari mbeten partnerë të besueshëm dhe të përkushtuar për të thelluar raportet bilaterale. /InLajmi/