Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka përkujtuar të vrarët në masakrën e Izbicës, të cilët u masakruan nga forcat serbe, përcjell InLajmi.
Këto masakra u kryen më 28 mars 1999, 4 ditë pas fillimit të intervenimit të NATO-s dhe në 10-vjetorin e Kushtetutës së Serbisë, që vulosi suprimimin e autonomisë së Kosovës.
Kurti theksoi se nga kjo masakër mbijetoi Saranda Bogujevci, e cila tashmë është nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryeministri thotë se sa herë përkujtohen mizoritë e regjimit serb na tregon se sa të hapura janë plagët e sa e madhe mbetet dhimbja.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për ta”, shkruan Kurti.
Postimi i plotë i tij:
7 fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç dhe 7 gra të familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, u pushkatuan 23 vjet më parë në Podujevë nga njësiti rezervë policor serb “Shkorpionët”.
Në këtë masakër humbi 16 anëtarë të familjes e u mbijetoi 16 plumbave Saranda Bogujevci. Ajo sot është Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Rreth 80 kilometra më larg, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe rrethuan mijëra civilë të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth. Nga turma i morën 147 burra dhe djem, të cilët i ekzekutuan në vend.
Të 2 masakrat u kryen më 28 mars 1999, 4 ditë pas fillimit të intervenimit të NATO-s dhe në 10 vjetorin e Kushtetutës së Serbisë, që vulosi suprimimin e autonomisë së Kosovës.
Në çdo pranverë përkujtimi i mizorive të regjimit serb na e tregon se sa të hapura janë plagët e sa e madhe mbetet dhimbja.
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta. /InLajmi/




















