Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga kjo e hënë ka filluar punën spitali pediatrik-kirurgjik që është donacion prej 22 milionë eurove i Emirateve të Bashkuara Arabe për shëndetësinë e Kosovës, përcjell InLajmi.
Në ditën e parë të funksionalizimit të këtij spitali janë kryer 2 operacione të fëmijëve si dhe kanë filluar aty punën ambulanca specialistike për fëmijë, emergjenca pediatrike dhe kirurgjia spcialistike.
Brenda këtij spitali janë funksionalizuar shërbimet e hemato-onkologjisë pediatrike, të kirurgjisë pediatrike dhe shërbimet e mjekësisë interne për fëmijë, ndërkohë që pritet të transferohen edhe neo-onatologjia, shërbimet ortopedike dhe shërbimet e tjera për fëmijë.
Spitali pediatrik –kirurgjik do t’i integrojë shërbimet e emergjencave pediatrike mjekësore siç janë ato të Traumës; shërbimet e Observimit dhe Rikuperimit; shërbimet e ambulancave specialistike pediatrike dhe kirurgjike; Njësinë e Radiologjisë së fëmijëve, sallat e operacioneve urgjente dhe të planifikuara, njësinë e Kirurgjisë Ditore dhe Endoskopisë së Fëmijëve, sterilizimin qendror; mjekimin intensiv të fëmijëve dhe të porsalindurve, departamentin e Kirurgjisë së fëmijëve dhe Departamentin e Onkologjisë Pediatrike./InLajmi/