Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur lidhur me vështirësitë me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Kosovës si pasojë e shtrenjtimit të produkteve bazë, raporton InLajmi.
“Janë 3 probleme që e kanë vështirësuar jetën e qytetarëve. Kriza energjetike, kriza me çmime, dhe lufta në Ukrainë. Për shkak të këtyre problemeve, jeta e qytetarëve është duke u vështirësuar. Secilës familje u janë rritur kostot e jetesës, nga 150 në 200 euro në muaj. Është e pashmangshme të dizajnohen pakot e ndihmës. Kriza sociale është e madhe. Vonesat vetëm po shtojnë problemet e familjes”, tha Hoti.
Deputeti i LDK-së, kërkoi që të bëhet inskenimi i të gjitha skemave të ndihmave sociale, së paku për të mbuluar çmimet e produkteve ushqimore bazike.
“Masa një, të bëhet inskenimi i të gjitha skemave të ndihmave sociale, masa 2 subvencionet në bujqësi. Rritja e kostove të produkteve bujqësore është rritur. Kemi verifikuar këtë në terren. Ftoj qeverinë të konsiderojë rritjen e menjëhershme të subvencioneve në bujqësi. Edhe kjo mbulon 1/3 e familjeve në vend. Masa 3 është t’i ktheheni debatit për pagën minimale. Duhet rritur sa më parë paga minimale, në mënyrë që sektori publik dhe privat ta ndjejë rritjen. Të gjitha këto masa janë të përballueshme për buxhetin e shtetit”, u shpreh Hoti./InLajmi/