Rusia ka përdorur dhjetëra baza ajrore për të nisur sulme kundër Ukrainës, përfshirë edhe disa baza në Bjellorusi dhe Krime, bëhet e ditur përmes imazheve satelitore.
Rusia kryesisht ka dominuar qiejt që prej se nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës më 24 shkurt, duke shkatërruar infrastrukturën civile dhe ushtarake të Ukrainës me raketa dhe bomba dhe duke përdorur parashutistët për të marrë nën kontroll pjesë kyçe të territorit ukrainas.
Rusia besohet se kryen deri në 200 fluturime në ditë, krahasuar me Ukrainën, që brenda ditës kryen shumë pak fluturime. Raketat dhe bombat e lëshuara nga avionët luftarakë janë ndër armët që kanë shkatërruar qytete dhe kanë vrarë qindra, ndoshta mijëra civilë.
“Rusia e ka shndërruar qiellin e Ukrainës në një burim vdekjeje për mijëra persona”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 16 mars, teksa iu lut Shteteve të Bashkuara për më shumë ndihmë për shtetin e tij, në mënyrë që Ukraina të mund të mbrohet nga sulmet ajrore.
Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se nuk janë të gatshme të mbështesin një zonë për ndalim-fluturim mbi Ukrainë, duke thënë se kjo do të “vendoste forcat e NATO-s në kontakt ose konflikt të mundshëm me Rusinë” dhe do ta çonte luftën “në një nivel krejtësisht të ri”.
Avionët ushtarakë rusë dhe helikopterët që po sulmojnë Ukrainën mund të ngrihen nga afërisht 40 baza ajrore, sipas një analize të bërë nga Skhemy, një projekt hulumtues që drejtohet nga Shërbimi Ukrainas i Radios Evropa e Lirë në bashkëpunim me televizionin UA: Pershy. Ky projekt ekzaminoi imazhet satelitore të realizuara nga kompania private, me seli në Shtetet e Bashkuara, Maxar Technologies.
Ukraina ka thënë se avionët rusë që fluturojnë mbi Detin e Zi kanë goditur rajonin e Lvivit, që gjendet në perëndim. Rusia në mënyrë aktive po përdorë bazat ajrore të vendosura në Gadishullin e Krimesë, që gjendet në Detin e Zi, për të bombarduar Ukrainën, tha për Skhemy, Oleksandr Musiyenko, kreu i Qendrës për Studime Ligjore Ushtarake në Kiev.
Ai tha se bombarduesit Tupolev, të pajisur me raketa lundruese të tipit, Kh-101, besohet se janë stacionuar në Krime. Rusia ka bombarduar rajonet e Lvivit, Vinitsias dhe Ivo-Frankivskut, duke përdorur raketat Kh-101.
Rusia po ashtu mund të jetë duke përdorur deri në nëntë baza ajrore në Bjellorusi, aleaten më të afërt ushtarake të Rusisë, kanë sugjeruar imazhet satelitore. Këto imazhe tregojnë një rritje të numrit të helikopterët ushtarakë dhe avionët të vendosur në bazat ajrore në fqinjin verior të Ukrainës, pas nisjes së pushtimit rus.
Ushtria ukrainase tha se ka parë bombardime që janë bërë nga avionët luftarakë Sukhoi, që ishin nisur nga Bjellorusia.
Bjellorusët po postojnë në Telegram informacione lidhur me aktivitetin ushtarak, përfshirë edhe lëvizjet e avionëve, thanë zyrtarët ukrainas.
Rusia ka humbur dhjetëra avionë që prej se nisi pushtimin dhe mund të jetë duke u përballur me numër më të vogël të pilotëve me përvojë, thanë zyrtarët ukrainas. Ukraina ka deklaruar se ka kapur të paktën 2 pilotë rusë.
Ukraina po kërkon nga Perëndimi më shumë armë kundërajrore në mënyrë që të frenojë operacionet ajrore ruse, shkruan REL.
Shtetet e Bashkuara e kanë furnizuar Kievin me raketahedhës që përdoren për të sulmuar avionë dhe helikopterë, ndërkaq Polonia dhe Sllovakia po e shqyrtojnë mundësinë që të dërgojë avionë luftarakë MiG-29.