Epidemia e gripit të shpendëve në vend duket se është stabilizuar, teksa ministria e Bujqësisë konfirmon se nuk është konstatuar asnjë rast i ri gjatë 24 orëve të fundit.
“AKVMB ka vazhduar monitorimin e situatës me veterinerët zyrtarë të shërbimit me kontrolle në ferma me drejtim për prodhim vezë, mishi dhe miks, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga kontrollet e kryera për monitorim, situata paraqitet e shëndetshme, pasi nuk ka vatra të tjera të dyshuara”, tha zëvendësministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci.
Nga kontrollet në territor rezulton se krahas pularive të prekura, nuk ka asnjë stabiliment për prodhim mishi me raste infektimi. Po ashtu kontrolle po ushtrohen dhe gjatë lëvizjes së shpendëve nga ferma në fermë, apo nga fermat në tregje. Prandaj sipas ministrisë, nuk ka vend për panik dhe se konsumi i mishit është i sigurt.
“Është e rëndësishme të theksojmë vazhdimisht se ushqimet në tregun tonë, në qendrat e licensuara janë të sigurta për konsumatorin. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperature më të larta se 70 gradë Celsius siç është edhe procedura normale e gatimit”, tha Gjeci, shkruan A2CNN.
Epidemia ka prekur deri më tani rreth 414 mijë shpendë, kryesisht në pulari dhe një numër më i vogël në oborre shtëpish.