Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se gjatë ditës së mërkurë grupi i afganëve të cilët po qëndronin në Kosovë janë larguar, përcjell InLajmi.
Afganët kanë qëndruar në kampin “Bechtel” të Ferizajt, ndërsa largimi i tyre ka ndodhur në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa tutje Sveçla është shprehur i lumtur që Kosova si shtet i vogël ia doli mbanë këtij procesi.
Postimi i plotë i tij:
Sot përcollëm nga Kosova grupin e fundit të qytetarëve afganë të cilët ishin të akomoduar në kampin “Bechtel” në Ferizaj. Si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si Ministri e Punëve të Brendshme, kemi pranuar të marrim përsipër këtë proces pa asnjë dilemë dhe me përgjegjësi të lartë.
Falë bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe aleatët tanë, jemi drejt finalizimit të suksesshëm të këtij procesi. Jemi angazhuar maksimalisht bashkë me partnerët tanë që çdo kërkesë e të strehuarve të plotësohet në afat optimal dhe të sigurojmë mirëqenie e kushte të mira për të gjithë.
Jam shumë i lumtur që si shtet ia dolëm mbanë edhe në këtë proces dhe që të gjithë ata që u strehuan në kampin “Bechtel” në Kosovë po nisin një jetë të re në shtetet mikpritëse. /InLajmi/