Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci, në konferencën javore të mbajtur këtë të premte, përveç tjerash ka folur në detaje për testin PISA, raporton InLajmi.
Popovci më tej ka njoftuar se 7.000 nxënës të shkollave të mesme të ulëta dhe atyre të larta do të marrin pjesë në testin PISA.
Më tej ai tha se është përzgjedhur mostra prej 237 shkollave, dhe se për këtë test tashmë kanë filluar përgatitjet nëpër komuna.
“Ky test tashmë ka filluar përgatitjet nëpër komuna për zhvillimin e testit. Këta 7.000 nxënës të njihen me mënyrën e kryerjes së testit, pra të mësohen me pyetjet që jepen përmes kompjuterit gjatë javëve në vijim. Koordinatorët e testit PISA në nivel të komunave dhe në nivel të shkollave do të punojnë secili me nxënësit e vetë”, tha ai.
Ndërkohë, Pupovci njoftoi për datat se kur do të mbahet ky test dhe kur do të dalin rezultatet.
“Diku prej datës 25 prill deri më 20 maj do të mbahet testi sipas një orari të përcaktuar. Duhet të shkohet në dhoma ku ka numër të mjaftueshëm të kompjuterëve që janë të lidhur me internet përmes të cilëve, nxënësit do t’i nënshtrohen këtij testi. Rezultatet pritet të dalin në dhjetorin e vitit 2023”, tha Popovci./InLajmi/