Përpjekjet e vazhdueshme të liderëve të ushtrisë dhe të mbrojtjes amerikane për të biseduar me homologët e tyre rusë janë refuzuar nga Moska përgjatë muajit të kaluar.
Kështu duke i lënë në errësirë 2 super fuqitë globale bërthamore rreth shpjegimeve për lëvizje ushtarake dhe duke ngritur frikën për një keqllogaritje të madhe ose aksident në fushëbetejë.
Liderët e lartë të ushtrisë ruse kanë refuzuar thirrjet nga homologët e tyre nga Shtetet e Bashkuara qysh para fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, bëri të ditur sot zëdhënësi i Pentagonit, shkruan The Washington Post.
“Gjatë muajit të fundit, sekretari Austin dhe shefi Milley janë përpjekur dhe po vazhdojnë të thërrasin homologët e tyre rusë. Ministri Shoigu dhe Gjenerali Gerasimov deri më tani kanë refuzuar të përfshihen. Ne vazhdojmë të besojmë se bashkërendimi ndërmjet liderëve të mbrojtjes nga SHBA dhe Rusia është kritikisht i rëndësishëm në këtë kohë”, tha zëdhënësi i Pentagonit në një deklaratë, transmeton Periskopi.
Zyrtarët e mbrojtjes nga Shtetet e Bashkuara i kanë përshkruajtur linjat telefonike dekonfliktuoze si mekanizma taktikë për të shmangur keqllogaritjet, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen e territorit ose hapësirës ajrore të NATO-s, por funksionaliteti i saj mund të jetë i kufizuar.