Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në 23 vjetorin e hyrjes së NATO-s në Kosovë tha se hyrja e tyre i dha fund regjimit pushtues të Sllobodan Millosheviqit, përcjell InLajmi.
Krasniqi, këtë të enjte ka bërë homazhe në Prizren tek pllaka përkujtimore e pilotëve amerikan Davis Gibbs dhe Kevin Reichert të cilët dhanë jetën në këtë mission mbrojtës për popullin e Kosovës.
Më tej ai tha se do të jetë përjetë mirënjohës ndaj kontributit të NATO-s dhe luftës së drejtë të popullit që e detyruan Serbinë të dorëzohej.
Postimi i plotë i tij:
23 vite më parë, forcat aleate të NATO-së nisën fushatën ajrore të bombardimit të Serbisë e Jugosllavisë, për t’i dhënë fund regjimit pushtues e gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit.
Për të nderuar sakrificën dhe luftën e gjithë ushtarëve të NATO-s që ishin pjesëmarrës të Operacionit Forca Aleate, së bashku me Kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, bëmë homazhe në Prizren, tek pllaka përkujtimore e pilotëve amerikanë, David Gibbs dhe Kevin Reichert, të cilët dhanë jetën në këtë mision mbrojtës për popullin tonë.
Lufta e drejtë e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK-ja, në aleancë me NATO-n, e detyroi Serbinë që të dorëzohej dhe mundësoi që Kosova ta fitojë lirinë – e sot të jetë e pavarur dhe aspiruese që të bëhet pjesë e aleancës veri-atlantike. Gjithmonë mirënjohës!/InLajmi/