23 vjet më parë, pushtuesi serb vrau avokatin e njohur, Bajram Kelmendin dhe 2 djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin, shkruan InLajmi.
Kelmendi ishte ndër themeluesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë dhe më 3 maj 1998 ngriti padi në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) në Hagë kundër Sllobodan Millosheviqit për krime të kryera në Kosovë.
Në fillim të fushatës së bombardimeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), më 24 mars 1999, policia serbe hyri në shtëpinë e tij dhe e arrestoi atë dhe 2 djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin.
Kur gruaja e tij, Nekibe atëkohë i pati pyetur policët për vendndodhjen e tyre, ata iu përgjigjën duke i thënë “të pyeste NATO-n”.
Ndryshe, Kelmendi para vdekjes kishte mbrojtur shumë të burgosur politikë si dhe një gazetë në gjuhën shqipe të mbyllur nga policia serbe./InLajmi/