Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur t’i jap fund pyetjeve rreth kritikave për ministren e Jashtmë, Donika Gërvalla-Schwraz, raporton InLajmi.
Sipas tij sulmet kundrejtë Gërvalles po vijnë direkt nga ish-partia e saj, ndërsa tutje përmendi përjashtimin e Gërvallës nga një mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së kur ajo ishte pjesë e partisë.
“Mund ta imagjinoj pse ka një sulm të egër, të papërmbajtur ndaj zëvendëskryeministres sime dhe ministres së Jashtme për shkak se ajo tash përfaqëson edhe një subjekt të ri politik dhe gjithashtu është në raporte të mira me mua si kryeministër. Mos harroni se po ankohet në ministren e Jashtme subjekti politik, i cili kur ka qenë kjo anëtare nuk e ka lejuar të hyjë në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm. E mbani mend se si janë përdorur truprojat që zonja e nderuar, vajza e dëshmorit e heroit kombëtar, të mos lejohet të hyjë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Ata dëshirojnë që ta bëj edhe unë të njëjtën, por jo vetëm që s’jam i njëjtë me ta, por jam shumë i ndryshëm prej tyre”, tha ai. /InLajmi/