Më 22 mars të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës kishte votuar qeverinë e re, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Për ekspertin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu qeverisja e kryeministrit Kurti ishte dominuar nga agjenda politike, duke lënë në hije problemet ekonomike të grumbulluara deri më tani.
“Duhet të kuptohet se vetë themelimi i Qeverisë Kurti, nuk ka qenë shkop magjik që t’i zgjidhë problemet e grumbulluara nga e kaluara. I tërë viti ka qenë i dominuar prej agjendës politike dhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka kaluar nën hijen e COVID-19 dhe pandemisë ekonomike po ashtu konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës”, tha Gërxhaliu për Telegrafin.
Ai ka shtuar se diplomacia ekonomike ka qenë dështimi më i madh i kësaj qeverie dhe se qytetarët nuk e kanë përjetuar rritjen e nevojshme ekonomike.
“Rritja ekonomike është ajo që duhet të shijohet nga qytetarët e që kam frikën se nuk ka ndodhur. Diplomacia ekonomike ka qenë dështimi më i madh. Qeveria duhet të fokusohet në përgatitjen e rezervave në interes të qytetarëve në rend të 2 duhet të kemi një strategji se çka do të bëjmë nesër. Simptomat janë vërtetë shqetësuese mirëpo nuk duhet të kemi panik dhe duhet të kemi më tepër fleksibilitet”, deklaroi ai.
Sipas ish-kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Qeveria duhet që fokusin kryesor ta drejtojë nga fuqizimi urgjentë i fermerëve, ku sipas tij është mënyra më e mirë për t’u mos u varur nga importi.
“Nga paniku përfitojnë vetëm ekonomitë spekulative dhe tregtarët. Ajo që duhet të jetë prioritet nga qeveria është që fermerët kosovar të kenë mbështetje urgjente që toka e papunuar në kultura pranverore në këtë vit të jetë e vërshuar, vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë ushqim”, ka theksuar Gërxhaliu.
Qytetarja Arzana Statovci është shprehur e pakënaqur me punët e qeverisë Kurti, sipas saj ky i fundit nuk i mbajtur premtimet e bëra gjatë fushatës.
“Asgjë nuk ka bërë Albin Kurti absolutisht, as nuk ka bërë për rini as nuk ka bërë asgjë për rritje të pagave që e ka fol me u rrit paga për sektorin publik dhe privat. Ka fol goxha shumë dhe nuk ka bërë asgjë”, u shpreh ajo.
I pakënaqur është shprehur edhe Pashkë Desku sipas tij, kryeministri Kurti i ka prishur marrëdhëniet e Kosovës me miqtë e saj.
“Asgjë nuk ka bërë vetëm ka manipuluar ose më mirë të them ua ka shpërlarë trurin njerëzve prej 18 deri në 20 vjet dhe disa shokëve të mijë. Na ka prishur me të gjithë miqtë e botës”, deklaroi Desku.
Në anën tjetër, Sylejman Bahtiri thotë që qeveria Kurti po mundohet t’i rregullojë problemet e kaluara duke e eliminuar korrupsionin.
“Mirë nuk është keq, vetëm le të vazhdon në këtë formë. Po ashtu mendoj që nuk ka çaluar askund, kjo qeveri po mundohet t’i meremetoj të këqijat e qeverive të kaluara sidomos të këtyre që kanë qenë më së shumti në pushtet. Korrupsioni kishte qenë shumë i madh dhe është duke e luftuar”, ka theksuar Bahtiri.
E i kënaqur me vitin e parë të qeverisjes Kurti është edhe Ekrem Morina.
“Unë jam i kënaqur dhe i përvëluar me një vit qeverisje të kryeministrit Kurti. Sepse është duke shkuar në rrugën e drejtë”, tha Ekrem Morina.
Ramë Hajdari vlerëson se Qeveria në të ardhmen duhet të punojë më shumë për t’i mbajtur marrëdhëniet e mira me Amerikën dhe me aleatët e tjerë.
“Në të ardhmen duhet të punohet më shumë dhe me u lidhë me Amerikën, me u anëtarësua në NATO, në BE dhe me investu në bujqësi”, pohoi Hajdari.
Viti 2021 nisi dhe ka përfunduar me çështjen e menaxhimit të pandemisë dhe rimëkëmbjes ekonomike pas pasojave të COVID-19.
Përveç kësaj, anulimi i projektit të gazsjellësit amerikan, heqja e homologimit për veturat që vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian, shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, marrja e 10% në Fondin e Kursimeve Pensionale, ndarja e shtesave për fëmijët e lehonat, shtrenjtimi i çmimeve dhe reduktimet e rrymës përgjatë dhjetorit, ishin disa nga temat që u shënuan gjatë vitit 2021.