Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), gjatë ditës së martë ka prezantuar raportin e Tranzicionit 2021-2022, raporton InLajmi.
Këtë aktivitet e ka nisur, guvernatori i Bankës së Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ku theksoi se masat e ndërmarra nga BQK-ja janë treguar shumë efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar për ekonominë.
“Masat e kujdesshme të ndërmarra nga BQK-ja janë treguar shumë efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar për ekonominë. Sektori bankar arriti të ruajë qëndrueshmëri të lartë. Aktualisht norma e kredive qëndron 2.3 % ndërsa norma vjetore 15.7 %. Vetëm gjatë vitit 2021 1.8 miliardë euro janë lëshuar kredi të reja. Në rend të parë është stabiliteti financiar”.
Sipas Mehmetit tejkalimi i krizave është bërë falë punës së mirë të BQK-së, dhe se duke u zbatuar masat e marra është arritur të rikuperohet ekonomia gjatë vitit që lamë pas.
Ndërsa tutje ai shtoi se po punohet në draft ligjin për sistemin e pagesave, sepse sipas tij ekonomia mund të funksionoj mirë vetëm atëherë kur është konkurruese, gjithëpërfshirëse dhe së fundmi por jo me pak e rëndësishme e qëndrueshme.
“Në anën tjetër jo vetëm që ka tejkaluar krizën por ka marrë rol kyç për rritjen ekonomike. Prandaj prioriteti është që bankat të ruajnë qëndrueshmërinë. Ekonomia ka shënuar rikuperim gjatë vitit 2021 me 10.5 %, ku ndër kontribuuesit është edhe sektori bankar. Një ekonomi që të funksionojë mirë duhet të jetë konkurrues, gjithëpërfshirës dhe e qëndrueshme. Vëmendje të veçantë raporti i kushton dixhitalizimit. BQK ka bërë hapa të rëndësishëm në liberalizimin e tregut dhe është duke punuar në draft ligjin në sistemin e pagesave”, tha Mehmeti. /InLajmi/