Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka folur gjerë e gjatë për lidhjet e afërta politike, ekonomike dhe ushtarake ndërmjet Serbisë dhe Rusisë dhe rrezikun që ato paraqesin për Ballkanin Perëndimor si dhe për dezinformimin si formë e luftës hibride në rajon, përcjell InLajmi.
Kurti ka mohuar akuzat e zyrtarëve të lartë rus se Kosova ka dërguar luftëtarë për t’iu bashkuar trupave ukrainase sikurse edhe pretendimet e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavror se veprimet e Rusisë në Ukrainë janë njësoj me ato të intervenimit të SHBA-së dhe NATO-s në Kosovë në vitin 1999.
“Në mesin e viteve ’90 ne patëm gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë. Në fund të viteve ’90, 19 vende të NATO-s u bashkuan për të ndaluar gjenocidin në Kosovë. Ishte gjenocidi i 2-të në Evropën kontinentale që nga Lufta e Dytë Botërore. 19 vende arritën konsensus për të bombarduar Jugosllavinë dhe Serbinë. Duhet të ketë qenë shumë keq sepse 19 shtete i thanë po bombardimit të një vendi dhe falë ndërhyrjes së NATO-s gjenocidi serb në Kosovë u ndal. Më herët se në pranverën e vitit 1999 kemi pasur 20 mijë gra të dhunuara nga policët dhe ushtarët serbë. 860 mijë persona u deportuan jashtë vendit tonë, 80% e popullsisë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Kemi ende sot 1.600 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Dhe mbi 12 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë dhe nuk ka drejtësi për të gjitha këto mizori. Dhe NATO ndërhyri atëherë”, deklaroi kryeministri Kurti.
Kryeministri nuk e ka lën pa e cekur rëndësinë që ka anëtarësimi i Kosovës në NATO, për çka ka thënë së e duam ndihmën e Evropës Perëndimore, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për të arritur anëtarësimin e Kosovës sa më shpejt.
Kurse ai për luftën që po zhvillohet në mes Rusisë dhe Ukrainës tha se presidenti ukrainas po shpreh haptas gatishmërinë për një zgjidhje paqësore, por sipas Kurtit është presidenti rus ai i cili po ia ka frikën këtyre bisedimeve.
“Mendoj se Presidenti Zelensky po tregon gatishmërinë e tij për bisedime dhe marrëveshje dhe për zgjidhje paqësore. Por kam frikë se Presidenti Putin nuk dëshiron të ulet me Presidentin Zelensky, ai dëshiron të ulet me Presidentin Biden. Ju e dini se Presidenti Putin mendon se është Stalini i shekullit të 21-të dhe sheh Ruzveltin e ri te Presidenti Biden. Pra, përsëri, ata duan të copëtojnë Evropën, ata janë një perandori që duan të shtrihen përsëri në Evropën Lindore. Presidenti Putin është i hidhëruar dhe nostalgjik dhe kjo është arsyeja pse e gjithë Evropa është në rrezik.”, tha Kurti.
Si përfundim ai është shprehur se është i sihurtë së as edhe një kosovar nuk ka udhëtuar drejtë Ukrainës për t’iu bashkuar luftës atje, por prap ne jemi popull që solidarizohemi dhe çmojmë lartë luftën çlirimtare të populli ukrainas, tha Kurti në një intervistë për BBC.

“Nuk është e vërtetë. Asnjë qytetar nga Kosova nuk ka shkuar të luftojë në Ukrainë, por që në fillim ne si Qeveri e Kosovës shprehëm admirimin dhe solidaritetin tonë me luftën çlirimtare të popullit ukrainas, dënuam ashpër invazionit rus dhe iu bashkuam sanksioneve të SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe kundër Rusisë.”, tha ai. /InLajmi/