Ka disa ditë që krerët e shtetit, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë duke i përmendur fjalët e njëjta se Kosova është e rrezikuar nga sulmet ruse në Ukrainë, gjegjësisht nga Serbia, shkruan InLajmi.
Deklaratat e 2 krerëve të shtetit, që tashmë janë bërë të njohura po shkaktojnë frikë dhe panik tek qytetarët.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala për Gazetën InLajmi tha se deklaratat e tilla nga ana e krerëve institucional nuk duhet të bëhen por është mirë që në këtë drejtim të punojnë për të krijuar veprime konkrete në masën preventive.
Por, a duhet të ndjehen me të vërtetë qytetarët e Kosovës të rrezikuar nga situata e krijuar në Ukrainë, gjegjësisht nga Serbia, Shala ka dhënë këtë përgjigje.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm sa i përket situatës e cila në bazë të vlerësimeve mund të eskalojë në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut si dhe në Kosovë. Por sa është realiste të ndodhin veprime në drejtim të Kosovës kjo mbetet të shihet nga zhvillimet në ditët dhe javët në vazhdim sepse sfidë do të mbeten 2 pika kryesore të cilat janë mos mbajtja e zgjedhjeve nacionale të Serbisë në Kosovë e cila ka 2 qëllimë në këtë fazë”, tha Shala.
E nëse nuk do të lejohen të mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë, sipas Shalës, atëherë Serbia pa hezitim do ta paraqes këtë në procesin politik në Bruksel.
“Nëse nuk do të mbahen zgjedhjet sipas konturave të parapara nga ana e Serbisë atëherë këtë argument Serbia do ta paraqes në procesin politik në Bruksel duke thirrur në të drejten ndërkombëtare për zgjedhje dhe duke tentuar që të fitojë argumentet që në fazën finale të ndonjë marrëveshje të futet si nën pika ku do të lejohet të mbahen zgjedhjet lokale edhe atyre nacionale të Serbisë në territorë të saj”, tha Shala më tej për Gazetën InLajmi.
Ndërsa, krejt këto situata, sipas tij kanë një qëllim nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq, siç është rritja e tensioneve.
“Rritja e tensioneve brenda komunave serbe e cila reflekton tendencën e krijimit të naracionit që grupet terroriste shqiptare janë duke projektuar spastrimin etnik në komunat ku jeton komuniteti serb dhe kështu të amnestohet ndërhyrja në “mbrojtjen” e qytetarëve të saj, ku dihet që gjitha këto veprime janë të motivuar nga qeveria e Alesandër Vuçiqit”, tha ai.
Më tej, ai tha se që nga shpallja e pavarësisë, Kosova gjendet në një situatë të koklavitur, derisa kjo po ndodhë për shkak të ndryshimeve në gjeopolitikën rajonale. /InLajmi/