Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se rritja ekonomike në Kosovë erdhi si pasojë e hapjes pas pandemisë. Ai shton se rritja mund të vërehet edhe në rajon, por që ai thotë se kjo rritje është vetëm në krahasim me vitin 2020 kur kishim mbyllje totale si pasojë e koronavirusit.
Abdixhiku thotë se pohimi i qeverisë se Kosova ka pasur rritje është i saktë, edhe pse nuk dihet sigurt për shifrat e sakta të rritjes, por që standardi i jetesës nuk është rritur për shkak të inflacionit.
“Rritja është reale. Kjo është si pasojë e boomit post-pandemik. Por duhet ta keni parasysh se kjo krahasohet me vitin 2020. Pra në vitin kur kishim mbyllje totale. Edhe vendet e rajonit dhe botë kanë rritje të madhe. Kjo për faktin se pas pandemisë erdhi hapja. Tash nuk e dimë saktë sa ka qenë rritja. Banka Botërore po thotë diku 7%. Bana Qendrore 9.9%. rritja erdhi edhe si pasojë e inflacionit. Çmimet u rritën. Por njerëzit e thjeshtë nuk e panë këtë rritje. Dilni dhe pyetni vetë. Rritja e çmimeve ka ndikuar tek standardi njerëzor”, tha ai.
Tutje ai në emisionin “Pressing” në T7 tha për rritjen ekonomike mund të pyeten edhe qytetarët, të cilët sipas tij nuk kanë vërejtur ndryshim si pasojë e rritjes së çmimeve.
“Njerëzit nuk mund t’i gënjesh për standardin e tyre të jetesës. Shko tek ata dhe pyeti se a po jetojnë më mirë tash apo para një viti. Ata të tregojnë se nuk ka ndryshim. Në kohë inflacioni fiton vetëm qeveria. Me rritjen e çmimeve fiton vetëm qeveria me taksa”, shtoi ai