Serbia do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale më 3 prill, derisa institucionet e vendit, ndryshe nga praktika e mëparshme, kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë organizimin e tyre në Kosovë, shkruan InLajmi.
Qeveria e Kosovës ka thënë se hapja e vendvotimeve në Kosovë për zgjedhjet e Serbisë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ndërsa si mundësi për serbët ka ofruar votimin me postë apo përmes Zyrës Ndërlidhëse me Serbinë.
Se a mund të ketë tensione nga Serbia, për shkak të moslejimit të hapjeve të vendvotimeve, analisti politik, Nexhmedin Spahiu në një prononcim për Gazetën InLajmi ka dhënë këtë përgjigje.
“Nuk mendoj se Serbia do të reagoj ndaj vendimit se nuk lejohen të mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë, kjo deri sa të zgjatë lufta në Ukrainë. Serbia po rrinë e qetë për shkak se është në një pozitë shumë të vështirë dhe para se të ndërmerrte ndonjë hap ajo do të ballafaqohej me pezmin e Perëndimit dhe në këtë rast Serbia do ta kishte pësuar”,ka deklaruar Spahiu.
Analisti Spahiu për Gazetën InLajmi e ka komentuar edhe deklaratën e fundit të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili ka thënë se nuk do të anëtarësohen në NATO dhe kanë mjaftueshëm ushtarë për t’i dalë zot vendit të tyre.
Krejt këto, sipas Spahiut ndodhin për shkak se Serbia, duhet të ketë një baraspeshim në marrëdhënien e saj me Rusinë dhe Perëndimin.
“Serbia historikisht ka mbajtur një qëndrim të baraspeshuar në mes të Lindjes dhe Perëndimit, që nga viti 1844 kur është hartuar një program kombëtarë. E në këtë program thuhet se Serbia duhet të ketë marrëdhënie vëllazërore me Rusinë dhe marrëdhënie të ngushta me Anglinë dhe Francën. Pra, është thënë se gjithmonë duhet të ketë një baraspeshim në marrëdhënie. E Serbia prej asaj kohe e deri më tani gjithmonë i është përmbajtur kësaj politike madje edhe në kohën kur Serbinë e ka udhëhequr kroati Josip Broz Tito, pra nga viti 1945-1980”, tha Spahiu.
Ai ka ritheksuar se deklarata e Vuçiqit se Serbia nuk do të anëtarësohet në NATO, është pikërisht produkt i kësaj politike.
“Serbia ka qenë në partnership me NATO vetëm atëherë kur Rusia ka qenë në partnership me NATO”, shtoi ai. /InLajmi/