Shqipëria duhet të përdorë të gjitha institucionet dhe influencën e saj për të ndihmuar në përshpejtimin e anëtarësimin të Kosovës në NATO, ka thënë ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Dritan Demiraj.
Në një lidhje telefonike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ish-Drejtuesi i Komandove Shqiptare në Afganistan, Kolonel Demiraj u shpreh se nuk e shikon sigurinë kombëtare apo reformat e mbrojtjes në Kosovë të ndara nga Shqipëria.
“Do të ishte e udhës që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama të përdorte të gjithë institucionet shqiptare siç është Ministria e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe të angazhohej personalisht vetë për të organizuar një qasje kombëtare, gjithashtu për t’i bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, për të përshpejtuar anëtarësimin e Kosovës në NATO”, ka thënë Demiraj.
Ai ka shtuar se duhet bërë e qartë se anëtarësimi në NATO nuk mund të jetë i menjëhershëm. Sipas Demirajt, vendet që duan anëtarësim duhet të kalojnë një sërë reformash.
“Hapi i parë është pranimi i Kosovës, ministrisë së saj të Brendshme dhe Forcave të Sigurisë, në Partneritetin për Paqe”, ka theksuar ish ministri.
“Situata e vështirë, kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë dhe Rusisë në Ballkan, si për shembull përfshirja e agjencive sekrete të Rusisë në bashkëpunim me agjencitë serbe në zgjedhjet e Malit të Zi në 2016, si dhe ndikimi në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut por edhe në vende të tjera të rajonit, kanë treguar që tashmë nuk ka më kohë për të humbur për Forcat e Sigurisë të Kosovës”, ka sqaruar Demiraj.
Kolonel Demiraj ka thënë gjithashtu se “ministritë e mbrojtjes të Shqipërisë dhe Kosovës duhet të përgatisin një strategji të përbashkët të sigurisë kombëtare, një strategji të përbashkët ushtarake, në mënyrë që të ngrihet një strategji mbrojtje e përbashkët sepse të 2 vendet nuk i kanë buxhetet e nevojshme në fushën e mbrojtjes.”
Në anën tjetër ai është shprehur i sigurt se situata në Ukrainë, ndihma e madhe dhe unifikim i BE-së dhe SHBA-ve do të bëjnë të mundur që edhe BE-ja të jetë më i vendosur për të hequr vizat për qytetarët e Kosovës dhe përshpejtimin e anëtarësimit të rajonit.
“BE në mënyrë të padrejtë ka 5 vite që po e gënjen qeverinë e Kosovës për heqjen e vizave. Qeveria e Kosovës në anën tjetër ka ndërmarrë një sërë reformash. Qeveria Kurti ka qenë e suksesshme në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe reformave për përmirësimin ekonomik, luftës ndaj coronavirusit e kështu me radhë”, ka thënë Demiraj, shkruan Telegrafi.
Ish-ministri i Brendshëm ka theksuar se hapja e negociatave dhe me pas anëtarësimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE do të ndihmonte shumë në uljen e presonit rus dhe serb në rajon.