Zyrtarët ukrainas po kritikojnë politikën e Izraelit ndaj refugjatëve ukrainas, duke thënë se ata po u mohojnë strehimin njerëzve në rrezik për shkak të kuotave të refugjatëve, transmeton InLajmi.
“Rusia po kryen gjenocid ndaj ukrainasve, duke vrarë mijëra civilë, ndërsa qeveria izraelite inspekton secilin refugjat nga Ukraina”, tha Ambasada e Ukrainës në Izrael në një deklaratë.
“Ne u bëjmë thirrje atyre që marrin vendimin të anulojnë politikën e kuotave dhe pengesave të tjera ndaj grave dhe fëmijëve që ikin nga Ukraina e shkatërruar nga lufta”.
Zyrtarët izraelitë kanë mbrojtur politikën e tyre. Drejtori i Autoritetit Izraelit të Popullsisë dhe Emigracionit Tomer Moskowitz tha se bota është plot me telashe.
Gjëra të tmerrshme ndodhin gjatë gjithë kohës dhe unë nuk jam cinik. Por a do të thotë kjo se ne duhet t’i pranojmë të gjithë njerëzit pa dallim?, tha ai.
Sipas “Ligjit të Kthimit” të Izraelit, çdo hebre, ose kushdo me të paktën një gjysh hebre, ka të drejtë për nënshtetësinë izraelite së bashku me familjet e tyre. Nuk ka asnjë kufi për numrin e ukrainasve që mund të hyjnë në bazë të “Ligjit të Kthimit” dhe zyrtarët izraelitë thonë se po përgatiten për një valë deri në 100 mijë shtetas ukrainas dhe rusë që kanë të drejtë të hyjnë në vend, shkruan CNN.
Ambasadori i Ukrainës në Izrael, Yevgen Korniychuk tha se të mërkurën mbrëma se 12 qytetarë ukrainas u kthyen në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit dhe u kthyen në Poloni sepse nuk kishin leje hyrjeje. /InLajmi/