Ky është momenti që NATO të rimendojë çfarë politika duhet të ndryshojë që procesi i antarësimit të jetë më i përshpejtuar dhe më i lehtësuar, tha politologu, Dritro Arifi.
Dritro Arifi foli për Kosovën në “Rendin e ri Botëror”.
Për letrën e presidentes Osmani dërguar presidentit Joe Biden, për të na ndihmuar që të antarësohemi në NATO, Arifi mendon se nga aspekti praktik dhe politik ka goditur në pikë.
“Nga aspekti praktik dhe politik ka goditur në pikë sepse të gjithë e dimë peshën dhe rëndësinë që SHBA ka në NATO”, tha ai.
Sipas tij, duke ditur ndërlidhshmërinë emocionale që presidenti Biden ka me Kosovën është një veprim shumë i mirë, por mendon që kemi 2 elemente që pengojnë jashtëzakonisht shumë në antarësim.
“Duke e ditur ndërlidhshmërinë emocionale që e ka presidenti i SHBA-së me Kosovën, mendoj që ka bërë veprim të mirë nga aspekti që t’i kërkohet një përshpejtim, por duke parë aspektet tjera kemi probleme, sepse kemi 2 elemente që pengojnë jashtëzakonisht shumë për antarësim më të shpejtë, e para është ligjore dhe e 2-ta politike, mirëpo e 2-ta është më e lehtë, në kuptimin që nëse mund të bëhet një presion më i madh tek vendet që nuk kanë njohur Kosovën, siç janë: Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia”, shtoi tutje Arifi.
Ai thotë se kërkesa e presidentes është shumë me vend, pasi që nga kjo situatë mund të fitojnë të gjithë, shkruan Tëvë 1.
“Por duhet kuptuar që kërkesa e presidentes ka qenë shumë me vend, dhe kjo nuk është vetëm çështje e Kosovës të antarësohet, por nga kjo situatë fitojnë të gjithë, edhe NATO, Kosova dhe Rajoni, sepse çdo konflikt që mund të ndodhë në të ardhmen e afërt nuk do të afektohet vetëm Kosova”, u shpreh ai.