Kreu i Prishtinës, Përparim Rama, këtë të enjte ka marrë pjesë në aksionin për zhvendosjen e kiosqeve në rrugën “Muharrem Fejza”, derisa nga kjo lagje ka mbajtur edhe një konferencë për media, ku në detaje ka folur për telashet që i ka sjellë mungesa e shpronësimit të tokave private në vazhdimin e punimeve për rregullimin e kësaj rruge, raporton InLajmi.
“Një prej pikave kyçe, pa zgjidhje në rrugën “Muharrem Fejza” e kemi gjetur në një gjendje shumë të keqe. Prej kur e kemi marrë mandatin e deri më tash jemi marrë me çështjen e negocimit për shpronësim, jemi marrë me pronarët që e kanë ndaluar çështjen e shpronësimit dhe për fat të mirë kemi ardhur deri te pajtimi ku edhe e kemi bërë zhvendosjen e këtyre kabinave ku do të na lejojë hapjen e rrugës për rregullimin e rrugës “Muharrem Fejza”, tha kryetari Rama.
E pas zgjidhjes së problem me shpronësime, Rama tha se është hapur rruga që punimet të kryhen në këtë rrugë, deri aty ku nuk kanë pengesa në një afat prej 40 ditësh.
“Ka qenë gjendje shumë të keqe për ta shtruar me zhavorr sepse në temperatura të ulëta nuk mund të kryesh punë të tjera. Tash që jemi në pranverë, i kemi temperaturat më të larta e kemi një tempo të zhvillimit të punimeve në rrugën “Muharrem Fejza” që do ta përfundojmë gjithë rrugën deri në pikën ku janë të hapura dhe më pastaj vazhdojmë sepse bëhet analiza e gjendjes së rrugës ta dimë se çka është instaluar”, theksoi ai. /InLajmi/