Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se Kosova do të aplikojë sivjet për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Kurti tha se shpreson që këtë vit 5 shtetet që nuk na kanë njohur të BE-së të bëjnë hapin e madh drejt njohjes.
“Ne do të aplikojmë këtë vit për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian. Do të ishte shumë mirë që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës dhe në programin e partneritetit për paqe të NATO-s”.
“Ne jemi në kontakt me shtetet që nuk na kanë njohur. 4 nga ato janë edhe në NATO: Spanja, Sllovakia, Greqia dhe Rumania. E edhe Qipro që është pjesë e Bashkimit Europian por jo edhe e NATO-s”.
“Shpresoj që këtë vit këto vende të bëjnë hapin e madh drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe t’i bashkohet shumicës së vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që janë pjesë e BE-së dhe NATO-s”, tha ai në një intervistë për televizionin zviceran Blick.
Shefi i ekzekutivit theksoi se Kosova ka marrë pjesë vitin e kaluar në “Defender 2021” me shtetet anëtare të NATO-s përderisa Serbia ishte me Rusinë në “Slavic Shield”, transmeton Klankosova.tv.
“Kosova ka marrë pjesë në “Defender 2021” nga marsi deri në qershor me 330 ushtarë dhe jemi në mesin e vendeve nikoqire. Përderisa Serbia ka marrë pjesë së bashku me Rusinë në “Slavic Shield” në mesin e tetorit të vitit të kaluar.