Rrahman Jasharaj, kreu i SBASHKU-t, e ka ritheksuar se nëse deri me 2 prill, nuk bëhet një zgjidhje lidhur me Ligjin e Pagave atëherë grevat do të jenë të pashmangshme, shkruan InLajmi.
Jasharaj ka ritheksuar faktin se përveç takimeve që kanë pasur me ministren e MASHTI-t, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk kanë pasur takime me kryeministrin e vendit Albin Kurti dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati.
“Në takimet që kemi pasur me ministrin Sveçla dhe ministren Nagavci ka qenë afati që deri në muajin mars, pra pas dhënies së versionit tonë për këtë Ligj, të punohet bashkërisht të shkohet tutje në Kuvend për miratim. Por nëse kjo nuk bëhet as pas muajit mars, atëherë neve nuk na mbetet tjetër gjë veç të marrim masat radikale, pra të hyjmë në grevat e përgjithshme”, theksoi Jasharaj.
Kreu i SBASHKU-t, tha po ashtu se uron shumë që të gjendet një marrëveshje dhe gjithçka të shkojë mirë lidhur me Ligjin e Pagave.
“Uroj që kjo mos të ndodhë, pra mos të ketë grevë dhe deri atëherë të kemi takime dhe palët që të gjitha të jenë të barabarta. Por, nëse nuk ndodhë kjo atëherë do të ketë grevë në të gjitha institucionet e arsimit. E nëse bëhet kështu dhe nuk ecin punët mirë, atëherë po e ritheksoj se greva do të jetë e përgjithshme”, tha ai.
Më tej, Jasharaj tha se kanë tentuar të takohen me kryeministrin Kurti, por nuk kanë marrë përgjigje pozitive, e kjo gjë sipas tij nuk është fare në rregull.
“Ne kemi insistuar të kemi takime me kryeministrin Kurti, jo vetëm për këtë Ligj por për tërë situatën në arsim por takime nuk kemi pasur. Kritika jonë ka qenë e vazhdueshme edhe për mos dhënien e një mundësie për takim me ministrin e Financave, Hekruan Muratin. Kanë munguar takimet edhe me të, derisa në pozitën që ka, është i obliguar që t’i takojë sindikatat për të dëgjuar zërin e tyre”, tha Jasharaj. /InLajmi/