Djali i Hysni Gucatit, Musliu, ka thënë se gjyshërit e tij po e përjetojnë më së rëndi mbajtjen e babait të tij në Hagë, ku tashmë Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që të dënohet me 6 vjet burgim.
Ai është prekur shumë emocionalisht dhe madje është përlotur, derisa ka treguar se janë bërë gati 2 vjet prej kur gjyshja e tij nuk e ka takuar djalin e saj.
“Më së rëndi po e përjetojnë prindërit e babait, sepse janë me një moshë të shtyrë dhe kanë probleme shëndetësore. Nuk po e dinë as arsyen mirë se pse po qëndrojnë në Hagë dhe pyetja më e shpeshtë që e bëjnë është se si munden me i marrë njerëzit që kanë luftuar për këtë vend dhe kanë dhënë edhe gjymtyrët e trupit. Përballja me këto padrejtësi të mëdha për prindërit e tyre është shumë e rëndë”, tha ai në KlanKosova.
“Edhe shkuarja e tyre në Hagë është shumë e vështirë për shkak të moshës dhe sëmundjeve që i kanë. E kanë shumë të vështirë që të shkojnë për t’i vizituar dhe po bëhen gati 2 vjet prej kur i kanë arrestuar dhe gjyshja ime nuk e ka pasur rastin të takohet fizikisht me babanë. Vetëm përmes videokonferencave, që ne i kemi, ata ia kanë dëgjuar zërin”.