160 ankesa i ka pranuar Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Kështu tha drejtori i këtij departamenti Nijazi Shala.
Shala tha se ankesat kishin të bëjnë me javën e kaluar kur edhe çmimi i vajit shënoi ngritje rekorde në 3.49 euro.
“Ne jemi dora e parë që pranojmë ankesa nga ana e konsumatorëve për parregullsitë në treg. Ankesat i delegojmë tek autoriteti varësisht se kush është përgjegjës që t’i zbatojë ato. Këto ditë kemi pasur shumë ankesa pikërisht për rritjen e çmimeve. I kemi pranuar 160 ankesa të cilat i kemi drejtuar tek Autoriteti i Konkurrencës, sepse ata janë të thirrur për t’i trajtuar këto ankesa”.
“Ankesat që janë adresuar tek Autoriteti i Konkurrencës kryesisht janë adresuar për gjatë javës së kaluar. Gjatë 2 ditëvë të para ankesat kanë qenë për rritjen e çmimit të vajit. Tash kanë filluar ankesat edhe për rritjen e çmimit të bukës por edhe për produktet e tjera”.
Por, shifra e paraqitur nga zyrtari i lartë i MINT, nuk pasqyron as nga afër shqetësimin e qytetarëve.
Duket se ata reagimin e tyre e bënë kryesisht në rrjetet sociale dhe jo krejtësisht në institucionet kompetente.
Reagimi i madh në opinionin publik detyroi institucionet të dalin në terren për të përcjell situaten.
2 depo ushqimore të supermarketeve ku u zbuluan mijëra litra të vajit u mbyllën përkohësisht derisa u sqarua situata e krijuar, tha ai në Info Magazine.
Pas reagimit të organeve kompetente, çmimi i vajit ra.