Rritja e çmimeve të derivateve, vajit ushqimor dhe paniku për mungesë të miellit – kanë qenë së fundmi temat kryesore të ekonomisë në vend.
Në Kosovë në vazhdimësi ka pasur ngritje të çmimeve, e kjo sipas profesorit të ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, ndodh për shkak të importit të lartë.
“Jemi shtet importues dhe sigurisht ky është një faktor që vazhdimisht jemi të atakuar nga rritja e çmimeve në berëzën ndërkombëtare”, deklaron Kadrijaj.
Referuar situatës së fundit, kur qytetarët u manipuluan nga bizneset, profesori thotë se faktor ishte edhe konflikti Rusi-Ukrainë.
“Në Kosovë u bë një spekulim ekonomik nga ana e bizneseve që shfrytëzuan momentin dhe rritën panikun. Qytetarët u detyruan të vërshojnë në qendrat tregtare dhe çmimet u rritën edhe brenda orës”, shton ai.
Por, sipas Kadrijajt, është për t’u përshëndetur veprimi i qeverisë, e cila mbylli depo të operatorëve ekonomikë, reagim ky që erdhi pas rritjes së paprecedentë të çmimit të vajit ushqimor – i cili shkoi deri në 3.49 euro.
“Ky veprim ndikoi në uljen e çmimeve dhe kjo bën që të krijohet siguri dhe shpresë që në Kosovë do të ketë përmirësim të gjendjes”.
Profesori i ekonomisë shton se për t’i shpëtuar rritjes së çmimeve, qeveria duhet të fokusohet të prodhimi vendor.
“Vlerësoj që tani e tutje më së shumti duhet të mendojmë për prodhimin vendor. Qeveria duhet të ketë strategji dhe t’i përkrahë prodhuesit vendorë që ta mbulojmë një sasi më të madhe të tregut vendor”.
“Këto kriza në nivel global ishin leksion i mirë për ne si shtet dhe si shoqëri se si duhet ti qasemi të vepruarit si shtet dhe institucione”.
Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, veç bizneseve, faj për ngritjen e nivelit të panikut te qytetarët, iu vë edhe krerëve institucionalë.
“Jo vetëm bizneset, por edhe krerët institucionalë e kanë ngritur nivelin e panikut te qytetarët pas fillimit të luftës në Ukrainë, kinse Serbia do ta sulmojë Kosovën”.
“Mirëpo, s’ka vend për panik dhe nëse shteti ka nxitur frikë te qytetarët duhet të reagojë, por pa i dëmtuar bizneset”, thotë Gërxhaliu për lajmi.net.
Sipas tij, në Kosovë më shumë ka pasur “rritje spekulative”, se sa reale. Dhe kjo, thotë se është bërë në emër të tregtisë së lirë dhe ekonomisë së hapur.
“Por, besoj që është momenti kur Inspektorati i Tregut duhet të jetë më aktiv dhe mbi të gjitha edhe bordi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës është anomalike në këtë kohë krize të mos jetë i kompletuar”.
Mes tjerash, thotë se institucionet duhet të veprojnë për të minimizuar pasojat e kësaj krizë.
E kjo, sipas tij, duhet të bëhet përmes dialogut të mirëfilltë publiko-privat dhe diplomacisë ekonomike që “Kosovës për fat të keq i mungon”.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, institucion përgjegjës për mbikëqyrjen e tregut, aktualisht është pa bord, lajmi.net.
Hekuran Nikqi është rekomanduar për kryetar të bordit të AKK-së, ndërsa për anëtarë janë propozuar Kaltrina Sela, Shpend Miftaraj, Besim Stublla dhe Nafije Osdautaj.