Kryeministri Albin Kurti, në seancën e Kuvendit ku po flitet për rritjen e çmimeve në Kosovë, për dallim nga të pranishmit në seancë, nuk ka folur për çmimet por ka folur për konsumin e energjisë, raporton InLajmi.
Kurti ka thënë se më vonë do të flas për çmimet.
“Ajo çfarë do të përgjigjem tash e më vonë flas për çmimet, është për eksportimin e energjisë për muajt janar dhe shkurt. Janë 3 faktorë, që njëri prej tyre është keqkuptim”, tha Kurti.
“Faktori 1 është tranziti i energjisë, tranziti nuk është eksport. Kur Serbia i shet energji Shqipërisë, ose anasjelltas, ajo kalon nëpër Kosovë, hyn e del, por nuk është eksport. Mos e keqkuptoni. Faktori 2. Ujmani ka kontrata afatgjate të eksportit të energjisë, me 38 euro e shet 1 megavator, por ne i kemi gjetur ato kontrata. Ujmani eksporton sepse e ka obligim kontraktual shitjen kaq të lirë. Faktori 3. Teprica e energjisë, sidomos pas orës 3 -4 pas mesnate. Dje në mëngjes, në orën 3:00, janë shpenzuar 903 megavat. Konsumi 804 megavat. Në orën 4:00 në mëngjes 908 janë shpenzuar e konsumi ka qenë 822. Në 5:00 në mëngjes konsumi ishte 809 më vonë 844. Çka me i bë kësaj energjie?”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti tutje tha se përderisa piku në orën 23 ngelet i pambuluar, ka tepricë dhe se nuk kanë çfarë të bëjnë në lidhje me këtë.
Ai shtoi se faktori i parë është keqkuptim, të 2 tjerët janë realë./InLajmi/