Kreu i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka njoftuar se këtë të hënë është mbajtur Këshilli Organizativ së bashku me Shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përcjell InLajmi.
E përmes këtij takimi, Ramosaj ka njoftuar se është diskutuar për përcaktimin e agjendës, gjegjësisht aktivitetet që do të mbahen në nderim e përkujtim të 24 Marsit të vitit 1998.
Në këtë datë përmes aktiviteteve të shumta do të kujtohen gjithë të rënët për lirinë e vendit tonë.
Postimi i plotë i tij:
Sot kemi mbajtur takimin e Këshillit Organizativ së bashku me Shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku kemi përcaktuar agjendën e aktiviteteve në nderim e përkujtim të 24 Marsit të vitit 1998, të Lavdisë e Krenarisë Kombëtare, në përkujtim të luftëtarëve të rënë për liri dhe në përkujtim të “Epopesë së Dukagjinit”, betejës që bëri kthesën e historisë sonë nga familja Haradinaj. Dhe njëkohësisht 24 Marsit të vitit 1999 të ndërhyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.
Këshilli Organizativ ka miratuar agjendën e aktiviteteve duke filluar nga data 20 Mars e për ta përmbyllur me ceremoninë kryesore me datë 24 Mars në Gllogjan të Deçanit./InLajmi/