Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, këtë të hënë në një konferencë të mbajtur për media ka dhënë detaje për prangosjen e 48 zyrtarëve policorë dhe 2 doganierëve për veprat penale të marrjes së ryshfetit, raporton InLajmi.
Më tej, Lumezi ka theksuar se në punën hetimore një vjeçare lidhur me këtë rast kanë përdorur shumë mjete të hetimit të fshehtë, me qëllim të nxjerrjes të sa më shumë provave.
“Ju njoftojmë se pas një periudhe hetimore të gjatë, diku rreth një vjeçare, kemi filluar me hetimin e këtij rasti me IPK. Kemi angazhuar 2 prokurorë në hetimin e kësaj çështje penale. Gjatë kësaj faze kemi përdorur shumë mjete të hetimit të fshehtë me qëllim të nxjerrim prova të mjaftueshme për krimin e dyshuar të veprës penale. Fillimisht kemi pasur informacione se janë duke u kryer vepra penale të marrjes së ryshfetit në pika doganore dhe duke marrë parasysh se nuk kemi pasur të drejtë të zbatojmë masa të fshehtë për persona konkretë por i kemi lëshuar masat e fshehta vetëm për vepra penale”, tha Lumezi.
Sipas kryeprokurorit të shtetit, në aksionin e sotëm “Pika” janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 nga Policia e Kosovës dhe 2 nga shërbimi doganor i Kosovës.
“Në momentin e zbulimit të identiteteve të kryerësve të veprave penale, kemi nxjerr aktvendim për zhvillimin e hetimeve kundër 68 personave. Sot jeni njoftuar se janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 nga Policia e Kosovës dhe 2 nga shërbimi doganor i Kosovës. Ndërsa personat tjerë, ndaj të cilëve është nxjerrë aktvendimi për fillimin e hetimeve janë në arrati, disa nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës”, tha Lumezi.
Më tej ai tha se nga 50 personat e arrestuar janë konfiskuar telefonat mobilë të cilët i kanë poseduar, të cilët do tu shërbejnë më vonë në këtë çështje. /InLajmi/