Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në të gjithë Ukrainën në orët e para të së dielës mes një vale sulmesh raketore.
Disa nga këto sulme u drejtuan në infrastrukturën kritike, si aeroporti ushtarak dhe qendra e trajnimit në Yavoriv, pranë kufirit polak, dhe aeroporti në Ivano-Frankivsk.
Por sulme të tjera duket se kanë goditur zonat shumë të populluara, me qytetin verior të Chernihivit që goditet për të tretën natë me radhë.
Kreu i rajonit të Chernihiv, Vyacheslav Chaus tha në kanalin e tij në Telegram herët të dielën se “pushtuesit filluan një sulm ajror në një ndërtesë të lartë gjatë natës”.
“Në vendngjarje po punojnë ekipet e shpëtimit. Sipas informacioneve paraprake, një person ka humbur jetën, 2 janë shpëtuar.10 zjarre u regjistruan në qytet gjatë 24 orëve të fundit dhe 3 persona kanë vdekur”, tha Chaus.
Në jug të Chernihivit, në rrugën kryesore për në Kyiv, një nënë dhe djali i saj u raportuan të vrarë nga bombardimet pranë Brovaryt.
Klubi i futbollit FC Shakhtar shkroi në Twitter se Dmytro Yevdochenko, një futbollist adoleshent premtues dhe nëna e tij, Maryna Yevdochenko, “vdiqën si rezultat i granatimeve nga trupat ruse”, raporton CNN.
Qeveria ukrainase po përpiqet të hapë rrugë evakuimi për civilët në vendbanimet përreth Brovaryt, i cili ndodhet përtej lumit Dnieper nga kryeqyteti, përcjell Periskopi.
Në rajonin lindor të Luhanskut , pjesa më e madhe e të cilit tani është e pushtuar nga forcat ruse, kreu i administratës rajonale, Serhiy Haidai, tha se ka pasur “granatime masive” të disa qyteteve.