Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dënoi sulmin e Rusisë pranë kufirit të Ukrainës me Poloninë herët të dielën, duke bërë thirrje që “brutaliteti” të ndalet ndërsa lufta po afrohet më shumë në pragun e NATO-s, transmeton InLajmi.
“Ne dënojmë sulmin me raketa të Federatës Ruse ndaj Qendrës Ndërkombëtare për Ruajtjen e Paqes dhe Sigurisë në Yavoriv, afër kufirit të Ukrainës me Poloninë”, tha Blinken.
35 persona u vranë dhe 134 u plagosën pasi më shumë se 30 raketa u qëlluan në një bazë ushtarake herët në mëngjes të së dielës, shkruan CNN.
Qendra Ndërkombëtare e Paqeruajtjes dhe Sigurisë është një bazë e madhe ushtarake që përfshin një qendër trajnimi për ushtarët dhe ka strehuar forcat e SHBA-së dhe NATO-s në të kaluarën. /InLajmi/