Andriy Shevchenko e përshkroi shkatërrimin e rëndë në Ukrainë si rezultat i luftës dhe konfirmoi se disa nga familjarët e tij janë ende të bllokuar në vend.
Rusia sulmoi Ukrainën pak më shumë se 2 javë më parë, duke sjellë shkatërrim në vend pasi tanket dhe ushtarët u futën brenda, të udhëhequr nga një breshëri raketash. Ish-trajneri i Genoas dhe Ukrainës ka qenë shumë i hapur për këtë temë, duke ofruar rregullisht përditësime për kombin e tij dhe vështirësitë me të cilat përballen bashkatdhetarët e tij.
Duke folur për Sky Sports, Shevchenko përshkroi shkatërrimin e shkaktuar nga lufta ruse dhe rrezikun për nënën dhe motrën e tij.
“Ka pasur shumë beteja. Nëna dhe motra ime pritën disa njerëz që u transferuan me ta sepse ishin në kushte të tmerrshme. Në Bucha nuk ka ushqim, nuk ka energji elektrike. Atje janë shoqet e motrës sime dhe kishin 5 ditë që jetonin nën tokë në një bodrum”.
“Ka pasur bombardime të tmerrshme në atë zonë. Bucha dhe qytetet fqinje Irpin dhe Hostomel, i njoh mirë këto qytete dhe janë shkatërruar plotësisht. Nuk ka mbetur asnjë ndërtesë. Shkoja në Bucha për të stërvitur kur isha lojtar i ri. Është e tmerrshme”.
“Korridoret humanitare u sulmuan nga ushtarë rusë. Nëse nëna dhe motra ime do të përpiqeshin të largoheshin, mendoj se do të ishte më e rrezikshme për ta”, ka shtuar më tej legjenda e futbollit”.
45-vjeçari ishte së fundmi krye trajner i Genoas, duke drejtuar 11 ndeshje në kryeqytetin e Ligurisë përpara se të shkarkohej në janar, transmeton Telegrafi.
Ish-trajneri i Ukrainës udhëhoqi ekipin e tij në çerekfinalet e Kampionatit Evropian verën e kaluar, ku ata pësuan një humbje 4-0 nga Anglia.