Qytetarët shqiptarë, të shumtë në numër, u mblodhën edhe këtë të shtunë para objektit të Kryeministrisë në ditën e 4 të protestës me disa kërkesa të qarta për kreun e Qeverisë, duke i kërkuar këtij të fundit të marrë masat e nevojshme për të ulur çmimin e karburantit dhe produkteve bazë të shportës.
Kujtojmë se revolta e qytetarëve erdhi pas mëngjesit të 7 marsit, atëherë kur çmimet e produkteve të ndryshme, në supermarkete, apo shërbime të tjera, si transporti rrugor, pësuan një rritje drastike.
Çmimi i naftës, brenda 24 orëve, u kushtoi atyre 30-35 lekë më shumë se një ditë më parë.
Nga ana tjetër, aktivistët, nëpërmjet rrjeteve sociale iniciuan grumbullimet e para.
Kështu pasditja e së mërkurës i gjeti qytetarët poshtë derës së “drejtuesit të qeverisë”, si për t’i kërkuar “llogari” për çdo qindarkë të shpenzuar më tepër.
Manifestimet u shtrinë në akset kryesore të Tiranës, duke i ‘paralizuar’ ato. Të nesërmen, strukturat policore, në bazë të provave të grumbulluara, kryen arrestime për vepra të ndryshme penale.
Një gjë tjetër ndodhi të enjten pasdite, e cila ofroi 2 këndvështrime të ngjarjes.
Atë të qytetarëve që shprehnin kundërshtinë e tyre poshtë zyrës së kryeministrit dhe, atë të Ramës, i cili në një dalje të paralajmëruar, po zhvillonte një bashkëbisedim online me ndjekësit e tij në Facebook.
Shpesh, gjatë bisedës, qartazi dëgjoheshin edhe brohoritjet e protestuesve, të cilët interferonin në live-video. Kryeministri bëri me dije se kabineti qeveritar brenda 48 orëve do të shpallte një plan konkret.
Ai vuri theksin, veçanërisht, tek bashkimi, e vërteta dhe faktet e problemit.
Me një ton të butë, duke i rikthyer qytetarëve në ditën e tërmetit dhe pandemisë, theksoi se “ashtu siç i dolëm në mbrojtje familjeve të këtij vendi, ashtu do t’i dalim sërish në mbrojtje familjeve të këtij vendi në këtë situatë krize”.
Pa u mbushur as 24 orë, qeveria në një tryezë mblodhi të gjithë furnizuesit e naftës, duke u bërë me dije se do të ngrihet një bord mbikëqyrës pikërisht për ta.
Kjo me qëllimin e vetëm, të mos ketë më çmime abuzive që u rëndojnë xhepave të qytetarëve.
Rama këtë herë, me tone më të ashpra, premtoi se furnizuesit e naftës do t’i hiqej licenca nëse ky i fundit do të shkelë marzhin e përcaktuar të fitimit.
Por edhe kjo nuk e ndali zemërimin e qytetarëve.
Në po të njëjtën orë, ata u grumbulluan përballë Kryeministrisë, ndërsa bënë thirrje se të shtunën e 12 marsit, do të vazhdojnë me kauzën e tyre, përcjell Top Chanel
Ndryshe nga ato të mëparshmet, ku qytetarët manifestuan veçmas, në qytete të ndryshme, sot, “Shqipëria” do të mblidhet në sheshin e kryeqytetit.