Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur në takim ministrin e Drejtësisë së Mbretërisë së Danimarkës, Nick Hækkerup, përcjell InLajmi.
Kryetari Abdixhiku u njoftua në lidhje me marrëveshjen ndërkombëtare dypalëshe për dhënien në shfrytëzim të qelive të burgut të Gjilanit për të burgosurit nga Mbretëria e Danimarkës, e cila pritet të vijë në Kuvend.
Ndërsa kryetari Abdixhiku e falënderoi Ministrin Hækkerup për vizitën në LDK, e sikur edhe në takimet tjera me miq ndërkombëtar, kërkoi edhe prej Danimarkës ta mbështesë Kosovën në proceset e saj integruese, liberalizimin e vizave, anëtarësim në NATO, BE dhe organizata tjera ndërkombëtare.
Palët u dakorduan që të thellojnë bashkëpunimin e që mbështetja ndaj Kosovës të vazhdojë edhe në të ardhmen./InLajmi/