Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se çmimin e energjisë, të vajit, të derivateve të naftës, nuk i kanë rritur qeveritë e kaluara, përcjell InLajmi.
Mustafa tha se në këtë kohë të ndërlikuar, qeveri do të duhet të vepronte për të gjetur një zgjidhje e jo të humb kohë me arsyetime.
Më pas, Mustafa ka thënë se qeveria nuk duhet të vajtojë por të tregoj lidership duke shtuar se qeveria nuk ka rol të edukojë disiplinën e Putinit.
Ai tutje ka thënë se institucionet e Kosovës, po tmerrojnë qytetarët e Kosovës duke deklaruar çdo mengjes që Serbia po na sulmon.
Postimi i plotë i tij:
Qeveria do duhej të kërkojë dhe të gjejë zgjidhje në këtë periudhë të ndërlikuar sociale por edhe politike. Më së paku i takon të humbë kohë me arsyetime dhe me fajësime të të tjerëve.
Çmimin e energjisë, të vajit, të derivateve të naftës, e shumë tjera, nuk i ngritën qeveritë e kaluara. Kjo opozitë nuk po e gjuan Qeverinë me shishe molotovi, me granata, me bomba, gaz lotsjellës, gurë.. Përpos një partie parlamentare e njërës jashtë parlamentit, opozita tjetër s po ua prishë terezinë. Prandaj Qeveria s’ka arsye të vajtojë por duhet të ngjeshët dhe të tregojë lidership. Sepse, qeverisja në kohë të rëndomta ec vet, e në kohë të vështira tregon lidership. Dije, organizim, drejtim.
Nuk është roli i Qeverisë tonë për ta edukuar dhe disiplinuar Putinin as për të bërë luftën në Ukrainë. Atje po lufton një popull i tërë me përkrahje të drejtë dhe solidarizim nga e gjithë bota. Ka edhe solidarizimin tonë.
Nuk është roli i institucioneve të Kosovës, poashtu, të tmerrojë qytetarët çdo mëngjes se po na sulmon Serbia. Sepse, njerëzit shqetësohen, frikësohen; spekulantët i rrisin çmimet, kurse qentë e luftës kërkojnë hapësirë për të profituar. Në fund mbesin qytetarët që ju votuan, ata që e paguajnë çmimin e frustrimeve të pamenaxhueshme./InLajmi/