Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka reaguar pas rritjes së çmimeve, përcjell InLajmi.
Ministria njoftoi se kanë inspektuar operatorët ekonomikë, duke filluar nga çmimet e produkteve ushqimore si vaji, mielli, sheqeri e të tjera.
Sipas të dhënave të ministrisë, doli që disa operatorë kanë mashtruar konsumatorët duke i zbrazur raftet e vajit ushqimor, për të krijuar përshtypjen se ka mungesë, kurse më pas i kanë rikthyer me çmim prej 3.49 euro për litër.
Sipas ministrisë, këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit.
Ministria theksoi se këto veprime do të dënohen.
Në fund ajo u bën thirrje qytetarëve, që të mos bien pre e manipulimeve të tregtarëve të pandërgjegjshëm dhe për çdo mashtrim që mund të ndodhë gjatë blerjeve e në veçanti për çmime të njoftojnë menjëherë Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Postimi i plotë i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë:
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Inspektoratit të Tregut, po inspekton intensivisht operatorët ekonomikë për ngritjen e menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale, siç janë vaj ushqimor, mielli, sheqeri e të tjera.
Sipas të dhënave nga terreni, disa operatorë kanë zbrazur dje raftet e vajit ushqimor në pikat e shitjes me pakicë, duke krijuar përshtypjen se ka mungesë të produktit. Kurse sot kanë rikthyer këtë produkt me çmimin 3,49 euro për litër. Vaji ushqimor është importuar ditë më parë dhe fillimisht është shitur me çmim 1,50 euro për litër.
Këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit, praktikë të padrejtë tregtare dhe konkurrencë të padrejtë, andaj Inspektorati i Tregut po merr masa ndëshkuese dhe çdo veprim tjetër të përcaktuar me ligj.
MINT gjithashtu ka kallëzuar gjetjet te organet e ndjekjes, për hetimin e veprave penale.
MINT fton qytetarët e Republikës së Kosovës të mos bien pre e manipulimeve të tregtarëve të pandërgjegjshëm. Qytetarët nuk kanë nevojë të furnizohen me rezerva të produkteve ushqimore esenciale. Furnizimi me këto produkte është i rregullt, por disa operatorë ekonomikë kanë shfrytëzuar situatën në mënyrë të egër, duke ndjellë panik te qytetarët – njëherë duke fshehur mallin e pastaj duke e rikthyer me çmim tejet të lartë.
Për çdo mashtrim që mund të ndodhë gjatë blerjeve e në veçanti për çmime, qytetarët luten të njoftojnë menjëherë Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në numrin e telefonit 0800 11000 ose në platformën https://konsumatori.rks-gov.net/
MINT gjithashtu fton bizneset të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndërgjegjshme.
Organet kompetente – MINT dhe Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Administratën Tatimore, Doganën dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës – po vëzhgojnë gjendjen dhe po marrin masat e duhura sipas ligjit.
Gjendja është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik. /InLajmi/