Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratë së zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi pas takimit që bëri me zëvendës-sekretarin e Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, përcjell InLajmi.
Çitaku, ka thënë se deklarata e huqur e Bislimit e ka dëmtuar rëndë agjendën e Kosovës.
“Me një tweet, zëvendëskryeministri Bislimi dëmtoi rëndë një agjendë jashtëzakonisht të rëndësishme për Kosovën.Mungesë totale e profesionalizmit. Ky nuk është vetëm skandal. Kjo është e rrezikshme dhe e dëmshme”, ka shkruar Çitaku.
Zëvendëskryeministri i vendit, pas takimit me zëvendës-sekretarin e KE-së, ka thënë se ky I fundit e ka mirëpritur iniciativën e Kosovës për aplikim në anëtarësimin në KE.
‘’Kënaqësi të takoj @DSGBjornBerge gjatë qëndrimit tim në Strasburg, i cili mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikimin për anëtarësim në @coe. Diskutimi ynë u përqendrua edhe në theksimin e progresit të lavdëruar 🇽🇰, reformave dhe harmonizimit me vlerat evropiane dhe politikat e jashtme’’, ka shkruar Bislimi.
Ndërkaq, Berge, në reagimin e tij ndaj Bislimit tha se ajo çfarë është biseduar nuk qëndron në përshkrimin që ka bërë zëvendëskryeministri në statusin e tij në Twitter.
“Fatkeqësisht, ky nuk është një përshkrim i saktë i asaj që deklarova në takim në lidhje me një aplikim të mundshëm në Këshillin e Evropës”, ka thënë Berge./InLajmi/