Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rritjes së çmimit të vajit në Kosovë, përcjell InLajmi.
Abdixhiku ka thënë se kjo rritje e çmimit të vajit është rritur me rekord botëror, i cili ka thënë se Autoriteti i Konkurrencës tash e 10 muaj Qeveria Kurti këtë institucion e ka lënë pa Bord.


Tutje Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë duke thënë se po braktis detyrat bazike shtetërore.
Ndër të tjera Abdixhiku ka përmendur kërkesat e LDK-së ndaj Qeverisë duke thënë se paralajmërimet e ngritura në kohë nuk dëgjohen ndërsa rekomandimet e dhëna injorohen.
Postimi i plotë i tij:
Çmimi i vajit rritet në rekord botëror, sepse fiksimet e mashtruesve s’ka kush t’i kontrollojë. S’ka kush t’i kontrollojë sepse në njërën anë inspektorët e shtetit nuk janë askund; e në anën tjetër Autoriteti i Konkurrencës është i paralizuar e pa funksion. Sot bëhen 10 muaj që kur Qeveria praktikante e Kurtit ka lënë këtë institucion pa Bord, rrjedhimisht pa njerëz që nisin hetime apo marrin vendime në kohë krizash si sot.
Ky është çmimi i paaftësisë e neglizhencës. Është çmim i braktisjes së detyrave bazike shtetërore. Ne jemi në krizë. Dhe në këtë krizë nuk kemi Qeveri. Paralajmërimet e ngritura me kohë s’dëgjohen e rekomandimet e dhëna injorohen.
– Më 3 shkurt, si LDK kemi paralajmëruar Qeverinë për marrjen e masave në sigurim të grurit para shperthimit të agresionit rus në Ukrainë. Asnjë reagim.
– Më 16 shkurt i kemi kërkuar Qeverisë të ofrojë një paketë masash fiskale që targetojnë inflacionin e lartë – më të lartin historik – në Kosovë. Asnjë reagim.
– Më 21 shkurt i kemi kërkuar Qeverisë të funksionalizojë sa më parë Autoritetin e Konkurrencës si preventivë për manipulimet e mundshme të çmimeve; me të njëjtat që po ballafaqohemi sot. Asnjë reagim.
– Këtë javë, kemi dhënë rekomandime konkrete mbi masat që duhet marrë për zbutjen e përballueshmërisë; me theks të veçantë në reduktimet e TVSH-së e akcizës mbi derivate fillimisht e më pas dhe në produktet bazike. Rekomandimet tona u mbështetën nga të gjithë, përveç Qeverisë. Asnjë reagim.
Mosreagueshmëria është pjesëmarrje në krizë. Qeveria, si ankuese e vështruese e krizës, po kontribuon në krizë!/InLajmi/




















