Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje SHBA-së dhe Polonisë që të merren vesh për logjistikën e dërgimit të avionëve luftarakë menjëherë dhe të mos e zvarrisin këtë çështje.
Polonia të martën ka shprehur gatishmërinë e saj për të dorëzuar gjithë flotën e saj të avionëve MIG-29 SHBA-së, në përpjekjet e saj për t’i siguruar Ukrainës avionë luftarakë në luftën e saj me Rusinë.
“Dëgjoni, ne kemi luftë! Ne nuk kemi kohë për të gjitha këto sinjale. Bëhet fjalë për jetë njerëzish. Kërkojmë edhe një herë: Zgjidheni më shpejt! Mos e zhvendosni përgjegjësinë!”, ka thënë Zelensky.
Për këtë çështje, zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, do të diskutojë me autoritetet polake kur ajo të vizitojë Poloninë këtë javë, thanë zyrtarë të lartë të administratës amerikane përpara nisjes së saj.
Deklarata e Polonisë ishte e befasishme për SHBA-në kur tha se do të dorëzonte avionët e saj luftarakë të kohës sovjetike, MiG-29, në Shtetet e Bashkuara në vend që t’ia jepte direkt Ukrainës, një ide që u refuzua nga Washingtoni, transmeton Gazeta Express.
Në një deklaratë të Pentagonit u tha se shteti amerikan nxit aleatët që të sjellin ide në tavolinë, por se kjo nuk “është e qëndrueshme”.