Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka deklaruar se me pikëllim e ka marrë lajmin për vdekjen e ish kryetarit Haki Rugova i cili sot në moshën 65 vjeçare ka ndërruar jetë , përcjell InLajmi.
Kryetari Ferati tha se i ndjeri Rugova na la sot për të mbetur në historinë moderne të Istogut e Kosovës si punëtor i madh e një nga kontribuesit më të mëdhenj në rrugëtimin tonë për liri, pavarësi e demokraci.
Postimi i plotë i tij, pa ndërhyrje:
Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e Kryetarit Haki Rugova. Mik i familjes e bashkëudhëtar për shumë kohë i babait tim, Haki Rugova udhëhoqi komunën e Istogut dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës në Istog për 10-të vite me radhë.
Kryetari Rugova na la sot për të mbetur në historinë moderne të Istogut e Kosovës si punëtor i madh e një nga kontribuesit më të mëdhenj në rrugëtimin tonë për liri, pavarësi e demokraci. Udhëtimi i tij politik në shërbim të vendit, i palëkundur nga vizioni i Presidentit, është udhërrëfyes për gjeneratat e reja.
Në emër të Komunës së Istogut dhe në emrin tim e familjes time, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Rugova, miqëve e bashkëpunëtorëve, qytetarëve të Istogut, strukturave dhe përkrahësve të LDK-së dhe të gjithë qytetarëve të Republikës.
Sot të gjithë bashkë lutemi për Ju dhe familjen Tuaj, Baci Haki! I përjetshëm qoftë kujtimi për Ju, Kryetar!/InLajmi/