Një korridor evakuimi nga qyteti i Sumy, në verilindje të Ukrainës do të qëndrojë në funksion të mërkurën, tha guvernatori rajonal Dmytro Zhyvytskyy në një postim në mediat sociale.
“Miq! Ekipi negociator punoi gjithë natën dhe ata e zgjeruan operacionin e korridorit humanitar nga Sumy në Poltava sot”,tha Zhyvytskyy herët të mërkurën, duke shtuar se korridori do të jetë i hapur nga ora 9 e mëngjesit deri në 21:00 me orën lokale.
Njerëzit do të mund të udhëtojnë me automjetet e tyre personale, shtoi ai. Gjithashtu, 22 autobusë të përdorur gjatë evakuimit të së martës do të kthehen në qytet nga qyteti qendror i Poltava për të ndihmuar evakuimet nga rreth orës 14:00 sipas kohës lokale, tha ai.
“Janë të njëjtët autobusë që kishim dje për kolonën e parë të transportit. Ato do të përdoren për transportin e grave shtatzëna, grave me fëmijë, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara”,shtoi ai.
Korridori u mundësoi rreth 5.000 civilëve të evakuonin qytetin të martën, sipas nënkryetarit të zyrës presidenciale ukrainase Kirill Timoshenko, transmeton Top Chanel
Sumy është përballur me sulme të rënda nga forcat ruse në ditët e fundit, me shumicën e popullsisë së saj të shkëputur nga pjesa tjetër e Ukrainës. Një sulm ajror gjatë natës në qytet të hënën vrau të paktën 21 civilë.