Agjencia për Barazi Gjinore me rastin e ditës së gruas, 8 Marsin, ka organizuar një ngjarje me temën “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithë përfshirjen”, e që pjesë e këtij organizimi ishin presidentja Vjosa Osmani si dhe kryeministri Albin Kurti, raporton InLajmi.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurt tha se gratë nuk punojnë vetëm për gratë dhe se ato mbajnë barrën e problemeve shoqërore.
“Organizmi i përbashkët institucional e shoqëror për të jetësuar synimet për barazi dhe drejtësi është e vetmja alternativë, nuk mund të ketë barazi në shoqëri pa barazi në mes të gjinive, barazia gjinore është themeli i barazisë shoqërore. Por përderisa gratë dhe vajzat mbajnë barrën e problemeve shoqërore ato janë thelbësore për nxitur dhe udhëhequr ndryshimet drejt zgjidhjes së tyre, gratë e bëjnë aktivizimin e dyfishtë merren me politikat e përgjithshme por gjithsesi edhe me çështjet gjinore, gratë nuk punojnë vetëm për gratë por ato punojnë po ashtu edhe për gratë”, tha Kurti.
Tutje ai tha se gratë e shkollluara duhet t’I aktivizojmë duke theksuar se mundësitë e barabarta janë objektiv i yni i parë strategjik.
“Duhet ti aktivizojmë gratë e shkolluara e duhet t’i shkollojmë sa më lartë gratë aktive. Krijimi i mundësive të barabarta është objektivi ynë i parë strategjik në programin e Kosovës për barazi gjinore që gratë të përfitojnë nga zhvillimi por edhe të kontribuojnë që të rrisin përfshirjen e pjesëmarrjen aktive e pjesëmarrjen në vendimmarrje”, tha Kurti.
Mes tjerash Kurti tha se stereotipat u kanë mohuar grave dhe vajzave që të qasen në mënyrë të barabartë për të krijuar karrierë.
“Stereotipat diskriminuese gjinore u kanë mohuar vajzave dhe grave qasjen e barabartë për të bërë karrierë i kanë privuar vajzat dhe gratë nga realizmi i potencialeve të tyre ndërsa shoqëria është privuar nga zhvillimi që do të mund të sillte potencialin i gjysmës së popullsisë”, tha Kurti.
Kurti bëri të ditur se janë ndarë 1365 bursa për vajzat në fushat e teknologjisë, ingjinierisë dhe matematikës.
“Për të ndihmuar vajzat në shkencë këtë vit ne kemi ndarë 1365 bursa për vajzat në fushat e shkencës teknologjisë, ingjinierisë dhe matematikës e këtu janë inkurajuar vajzat nga viset rurale apo me status më të ulët socio-ekonomik dhe për komunitet jo shumicë”, tha Kurti./InLajmi/