Eden Hazard ka filluar negociatat për t’u rikthyer në ishull, pasi Newcastle vazhdon të shpreh interes për të.
Pas lëndimeve të shumta që po i ndodhin te Real Madridi, duket se ka ardhur koha që Eden Hazard të kthehet në Angli ku la shumë gjurmë.
Edhe pse u përmend një rikthim i mundshëm te Chelsea, më afër për ta sjellë atë aktualisht në ishull duket Newcastle, që tashmë ka nisur negociatat me Real Madridin.
Në 3 sezone te mbretërit, Hazard ka luajtur vetëm 65 ndeshje për shkak të lëndimeve të ndryshme, por Newcastle vlerëson se belgu mund të jetë lideri ideal i një projekti të ri që filloi së fundmi në “St. James Park”.
Ekipi më i madh në veri të Anglisë u ble nga një grup i pasur investitorësh sauditë, Fondi i Investimeve Publike, duke e bërë Newcastle ekipin më të pasur në botë.
Ka pasur disa përforcime gjatë dimrit, dhe trajneri i ri Eddie Howe tashmë e ka stabilizuar klubin dhe e ka larguar atë nga zona e rënies ku i gjeti.
Përgatitjet në “St. James Park” për sezonin e ardhshëm tashmë kanë filluar, kështu që ata e cilësojnë Hazard si një përforcim të mundshëm që duhet të drejtojë skuadrën në të ardhmen drejt sukseseve, shkruan Defensa Central, ueb faqe e afërt me klubin madrilen.
Siç qëndrojnë gjërat tani, Real Madridi është i prirur të shesë Hazard për shkak të pagës së lartë, por edhe sepse nuk mundi t’i përmbushte pritshmëritë. Nga ana tjetër, Newcastle është në kërkim të huazimit të tij, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, besohet se së shpejti mund të arrihet një marrëveshje në mënyrë që Reali të heqë qafe 400.000 funte (480.000 euro) rrogë javore që merr lojtari.