Për 2 vjet që nga shfaqja e rasteve të para me Covid-19, personeli në Klinikën Infektive është ballafaquar me punë jashtëzakonisht të rëndë në aspektin fizik, por edhe me ngarkesë psikike, tha në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i kësaj Klinike Arben Vishaj.
Madje, ai tha se doktorët e Klinikës Infektive janë prekur 2 herë nga ky virus, por që tash gëzojnë shëndet të plotë.
“Këto 2 vjet pandemi ne kemi pasur një punë jashtëzakonisht të rëndë edhe në aspektin e ngarkesës psikike por edhe në aspektin e mundësisë për të ardhur deri te mundësia e infeksionit”.
“Shumë nga kolegët tanë kanë pasur deri në 2 herë që kanë kaluar në infeksion me Covid, por profesioni jonë mbetet i tillë andaj mbetet të shihet në muajt në vijim si do të shkojë situata, por për momentin stafi shëndetësor i Klinikës Infektive është i qëndrueshëm dhe gëzon një shëndet të plotë”.
Ndërsa sa i përket përhapjes së valëve të reja ose edhe “zhdukja” e Covid-19, doktor Vishaj theksoi se është vështirë të predikohet, por çdo valë e re nuk do të jetë e intensiteti të më mëparshëm.
“Është vështirë të thuhet sepse ne nuk mund ta predikojmë, por sido që të jetë Klinika Infektive do të jetë e gatshme të ofrojë shërbim. Ne nuk mund të japim prognozë se a do të përfundojë këtë vit. Edhe këtë valën e fundit që e patëm nuk u manifestua me forma sikurse e kemi pasur variantin Delta dhe jam i bindur se nëse kemi ndonjë valë të re nuk do të jetë e atij intensiteti çfarë e kemi pasur valët e mëparshme”,tha Vishaj.