Këtë të hënë, me 7 Mars pikërisht në Ditën e Mësuesit është përuruar pllaka në shtëpinë e familjes së Ibrahim Gashit, ku gjatë viteve 1991-1998 është zhvilluar procesi mësimor për nxënësit e shkollës së mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, raporton InLajmi.
Në përurimin e kësaj pllake ka marrë pjesë kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministrja e Ministrisë së Arsimit, Arbërie Nagavci.
“ Po e përurojmë këtë pllakë për ditën e mësuesit, një profesion të shenjtë për neve shqiptarët por edhe për popujt e tjerë. Ibrahim Gashi ka dhënë si rrallë kush kontribut, ne jemi përjetë mirënjohës dhe falënderues. Pati ndërruar jetë një vit para se të shpallej pavarësia. Ky moment është i veçantë edhe për gjithë neve. Edhe ata që nuk e kanë njohur i gëzojnë sot frytet dhe kontributet e tij”,tha Kurti
Ndërsa nga familja Gashi, theksuan se në kohën kur mbahej mësimi në shtëpinë e tyre, ata zgjoheshin herët e pastronin hapësirën dhe ua lironin për mësim. Madje kujtojnë fjalët e të ndjerit Gashi ku qytetarët i kanë borgj Kosovës dhe kjo e fundit atyre.
Ndryshe, kryeministri Kurti për familjen Gashi ndau edhe një mirënjohje. /InLajmi/